Shtëpia që shihni në foto, është nga më të vjetrat e më të bukurat në Shkodër.
Në këtë shtëpi e cila më 1964 është shpallur Monument Kulture, jeton shkodrani Engjëll Çeka – trashëgimtari i Filip Çekës (që njihet edhe me mbiemrin Summa), pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit, i cili me trupat vullnetare shkodrane ka marrë pjesë në luftën e Plavës dhe Gucisë e më vonë edhe në mbrojtjen e Ulqinit.
Filipi ishte iniciatori dhe nënshkruesi i telegramit të protestës që iu dërgua Kongresit të Berlinit kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Ndërsa, sipas Gjergj Fishtës, ishte ideja dhe kërkesa e tij që “Lidhja e myslimanëve të vërtetë” të quhet “Lidhja shqiptare e Prizrenit”.
Filipi ka vdekur më 1895. Emrin e tij e trashëgon nipi (djali i vëllait, babai i Engjëllit), një tregtar dhe funksionar i kohës së Zogut.
Shtëpia është mbi 250 vjet e vjetër dhe ruan bukurinë e dikurshme. Ka dy kate. Njëri kat ka 290 metra katrorë. Ajo është ndërtuar nga guri, nga mjeshtrit dibranë.
Muret janë një metër të gjëra për çka tërmetet që goditën qytetin nuk e kanë dëmtuar. Secila dhomë e kësaj shtëpie kishte hamamxhik.
Në njërën dhomë të katit të dytë është oda ku është ruajtur trapazani, dollapët në mure, tavani dhe orenditë e drurit. Me bukurinë e kësaj dhome ishte mahnitur edhe Gegë Marubi, i cili e fotografon më 1936. Pothuajse asgjë nga ajo foto sot nuk ndryshon. Aty janë edhe mirënjohjet dhe dokumentet që për Filip Çekën ka lëshuar Franca, Vatikani…; është sënduku i pajës së gjyshes së Engjëllit, Tinës, i punuar në Venedik; trungu familjar i realizuar në pikturë; fotografi të vjetra të nënës, babës, axhës, hallës, gjyshit, gjyshes së Engjëllit… Aty është edhe fotografia e trimit dhe luftëtarit të madh, Filip Çeka.
Në këtë shtëpi sot jeton Engjëll dhe Mikel Çeka, në hyrje të ndara. Engjëlli është zotëri i rrallë dhe qytetar shumë i respektuar i Shkodrës. Si anëtar i një nga familjeve më të vjetra të Shkodrës së kulturës, ai bart në vete anët pozitive të qytetit tjetër të kulturës, Korçës, nga ku vinte edhe nëna e tij, Marika Lako. Ndaj, në kontaktin e parë shpërfaq atë modestinë, urtësinë dhe kulturën që i karakterizon pjesëtarët e familjeve të ngritura e me traditë.
Për më shumë, shikojini fotot, si dëshmi e traditës dhe kulturës së fisshme shqiptare. /Telegrafi/