Site icon Telegrafi

Një nga ngjarjet më traumatike të shekullit – si ndodhën sulmet e 11 shtatorit 2001?

Të martën, 11 shtator 2001, sulmuesit vetëvrasës kapën avionët amerikanë të pasagjerëve dhe i përplasën në dy rrokaqiejt e New York-ut, duke vrarë mijëra njerëz.

Sulmi mbetet një nga ngjarjet më traumatike të shekullit, jo vetëm për amerikanët, por edhe për botën.

Cilat ishin objektivat?

Katër avionë që fluturonin mbi SHBA-në lindore u kapën njëkohësisht nga ekipe të vogla rrëmbyesish.

Ato u përdorën më pas si raketa gjigante, të drejtuara për të rrëzuar ndërtesat historike në New York dhe Washington.

Dy avionë goditën Kullat Binjake të Qendrës Tregtare Botërore në New York; i pari goditi Kullën e Veriut, derisa i dyti u rrëzua në Kullën e Jugut.

Ndërtesat morën flakë, duke bllokuar njerëzit në katet e sipërme dhe duke mbuluar qytetin në tym. Në më pak se dy orë, të dy kullat 110-katëshe u shembën në re masive pluhuri.

Avioni i tretë shkatërroi ‘faqen’ perëndimore të Pentagonit – selia gjigante e ushtrisë amerikane pak jashtë kryeqytetit të vendit, Washington DC.

Avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani pasi udhëtarët u kundërpërgjigjën. Mendohet se rrëmbyesit kishin për qëllim të sulmonin ndërtesën e Kapitolit në Washington DC.

Sa njerëz kanë vdekur?

Në total, 2,977 njerëz (pa llogaritur 19 rrëmbyesit) humbën jetën, shumica e tyre në New York.

Bëhet e ditur se 246 pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e katër avionëve ishin në mesin e të vdekurve.

Në Kullat Binjake, 2,606 njerëz vdiqën – atëherë ose më vonë nga plagët.

Në Pentagon, 125 njerëz u vranë.

Kush ishin sulmuesit?

Një rrjet ekstremist islamik i quajtur al-Kaeda planifikoi sulmet nga Afganistani.

I udhëhequr nga Osama Bin Laden, al-Kaeda fajësoi SHBA-në dhe aleatët e saj për konliktet në botën myslimane.

Nëntëmbëdhjetë persona kryen rrëmbimet, duke punuar në tre ekipe me nga pesë dhe një nga katër (në aeroplanin që u rrëzua në Pensilvani).

Secili grup përfshinte dikë që kishte marrë trajnim për pilot. Kjo u krye në shkollat fluturuese në vetë SHBA-në.

Pesëmbëdhjetë rrëmbyesit ishin sauditë si vetë Bin Laden. Dy ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një ishte nga Egjipti dhe një nga Libani. /Telegrafi/

Exit mobile version