Telegrafi

Një nga momentet më emocionues të këtij Botërori: Trajneri i Argjentinës shpërthen në lot, posa përqafoi Messin

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, u përlot ndërsa Lionel Messi frymëzoi skuadrën e tij për të arritur në finalen e Kampionatit Botëror.

Ylli 35-vjeçar shënoi golin e parë të Argjentinës nga pika e bardhë, teksa amerikano-jugorët mposhtën Kroacinë 3-0 në gjysmëfinalen e së martës, me sulmuesin e Manchester Cityt, Julian Alvarez, që shtoi dy golat e tjerë, i dyti nga një asistim madhështor i Messit.

Scaloni mund të shihej duke përqafuar kapitenin e tij pas fishkëllimës së fundit, dhe pas një përqafimi me nr.10, ai fshiu lotët dhe falënderoi edhe tifozët.

Duke diskutuar nëse Messi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave pas ndeshjes, Scaloni tha: “Ndonjëherë mund të duket sikur ne e themi vetëm këtë si argjentinas, por nuk kam asnjë dyshim”.

“Çdo herë që ai luan është një burim i madh motivimi për shokët e tij. Nuk ka mbetur asgjë për të thënë për Messin, është një privilegj ta kesh atë”.

Duke çuar skuadrën e tij në finale, ai shtoi: “Është e vështirë ta shprehësh këtë me fjalë. Kjo është ajo që gjithmonë kam ëndërruar si argjentinas. Është emocionale dhe njerëzit tanë na mbështesin në një mënyrë që është e paharrueshme. Ne jemi duke bërë histori.

“Ne po festojmë sepse është diçka shumë emocionuese, por ka ende një hap. Është një kohë për të shijuar, por tashmë duhet të mendojmë për atë që do të vijë”, ka vazhduar ai.

Argjentina do të luajë të dielën e kësaj jave finalen e Botërorit, derisa sonte do të mësojë se me kë do të luajë, me kampionin në fuqi, Francën apo me Marokun. /Telegrafi/