Telegrafi

Një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave tashmë ka ndërruar profesion dhe është bërë këngëtar

Pas futbollit, aktrimit dhe pikturës, Eric Cantona, ish-ylli i Manchester United, ka nisur një turne koncertesh, duke mbajtur koncertin e tij të parë në Lyon.

Për koncertin e tij të parë në Francë, pas Anglisë dhe Irlandës, të premten në mbrëmje në qytetin e Lionit, legjenda e futbollit këndoi herë në anglisht, herë në frëngjisht, rreth njëzet kompozime të tij.

Në teatrin e vogël Comédie Odéon, Eric Cantona, me këpucë sportive dhe pantallona të kuqe, një pallto të gjatë të zezë dhe një kapele të vogël, performoi para një publiku entuziast. Pas depërtimit në botën e muzikës me artistë të tjerë, Cantona, në moshën 57-vjeçare, tashmë prezantohet solo, me vetëm dy muzikantë, një pianist dhe një violonçelist, që shoqërojnë zërin e tij të ngjirur.

“Këtë e bëj për skenën dhe për publikun. Më jep kënaqësi. Në skenë bëhem dikush tjetër”, tha ish-futbollisti i Man United.

Turneu i tij “Cantona Sings Eric” filloi në fund të tetorit në Mançester, qyteti që e kurorëzoi atë mbret të futbollit midis 1992 dhe 1997 dhe së shpejti do ta çojë atë në Gjenevë, Marsejë dhe Paris, përpara një turneu të dytë të planifikuar për pranverën 2024.

Katër këngë janë të disponueshme në platformat muzikore dhe një album live me rreth njëzet këngë do të publikohet në fund të dy turneve.

Muzika nuk është një fushë e panjohur për Cantonan, i cili që pas largimit nga fusha, është dalluar mbi të gjitha në ekranin e filmit, veçanërisht në “Looking for Eric” të regjisorit britanik Ken Loach. Në Francë, zëri i tij ishte dëgjuar tashmë në grupin Dionysos, në këngët e Bernard Lavilliers dhe Rachid Taha.

Gjeniu i futbollit ka përmendur gjithashtu Leonard Cohen, Nick Cave dhe Tom Waits si referenca të tij./Telegrafi/