Razë Bajrami, tani 64-vjeçare, është martuar kur ishte vetëm 14 vjeçe. Ajo mendon se gjithkush duhet të martohet i ri, pasi kur të krijohet familja, kompletohet edhe vetë individi, raporton KTV.
Kundër martesave të hershme është shprehur Hysni Hasani, koordinator në OJQ “The Ideas Partnership”.
Sipas tij, këto martesa ndikojnë negativisht, kryesisht te femrat, pasi automatikisht u ndërpritet shkollimi.
Në Kosovë është lansuar fushata vetëdijesuese për parandalimin e martesave nën moshën 18-vjeçare, pasi sipas hulumtimeve, fëmijët e lindur nga martesat e parakohshme rezultojnë me mungesë kujdesi cilësor dhe për pasojë kanë mirëqenie më të ulët.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rezulton se një në pesë vajza të moshës 15-18 vjeçe, aktualisht janë të martuara.
Në nivel kombëtar femra të moshës 15-vjeçare të martuara sipas komuniteteve janë: 23.9 romë romë, 19.8 ashkali, 13.8 egjiptas dhe 6.4 shqiptarë. Prizreni dhe Ferizaj prijnë për nga komunat që janë shënuar raste më të shpeshta të martesave të hershme, kryesisht të komunitet rom, ashkali dhe egjiptian.