Telegrafi

Një muaj paraburgim për zv.drejtorin e gjimnazit në Malishevë, i dyshuar për sulm seksual ndaj nxënëses

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar një muaj paraburgim zëvendësdrejtorit të gjimnazit “Hamdi Berisha”  në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur.

Në njoftim thuhet se, Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual.

Sipas kërkesës, “rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në
afat prej 30 ditësh.

Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra
penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.

Lexo po ashtu Arrestohet zv.drejtori i gjimnazit në Malishevë, dyshohet se ngacmoi seksualisht një vajzë të mitur në tualet

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe, Policia e Kosovës ditë më parë ka njoftuar se ka arrestuar zëvendësdrejtorin e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, ka thënë për Telegrafin se rastin në Polici e ka raportuar babai i saj. /Telegrafi/