Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e vëllait në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda i ka caktuar një muaj paraburgim G.M, i cili dyshohet se e theri për vdekje vëllain e tij të dielën mbrëma në Prishtinë.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga kjo gjykatë, ku thuhet se masa e paraburgimit i është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i  pandehuri  lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, i njëjti mund të shmanget nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale.

“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version