Telegrafi

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për rrëmbim në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.V. për shkak të veprës penale “Rrëmbimi”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas seancës dëgjimore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.V. dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji nga data 13.04.2021 e deri më datë 13.05.2021.

Në njoftim thuhet se i pandehuri J.V. është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.R., ashtu që më 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari B.R. është zhdukur në rrethana deri më tani të panjohura dhe deri më tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse më datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular.

Kundër këtij aktvendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit. /Telegrafi/