Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për shoferin e kamionit që shkaktoi aksidentin në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit M. A, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se “Ekziston dyshimi i bazuar se me 7 mars 2019, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”.

Lexo po ashtu Kërkohet paraburgim për shoferin e kamionit që shkaktoi aksident të rëndë në Gjilan

“Dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti”.

Sipas gjykatës, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/​​

Exit mobile version