Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.T, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e Rëndë në Tentativë”.
Të pandehurit M.T i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji .
I pandehuri M.T dyshohet se më 24.05.2018, rreth orës 17:00, në fshatin Gushtericë e Epërme, Komuna Graçanicë, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën K.T, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve në mes tyre, e ka goditur me thikë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, me ç‘rast si pasojë e dëmtimeve nga goditjet me thikë jeta e saj tani për tani është në rrezik.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.T është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.