Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.N për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.N dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Policia kishte njoftuar dje se i dyshuari Z.N, (1954) ishte arrestuar rreth orës 16:00 në Mitrovicën e Veriut.
I lartcekuri është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile – Dhunë seksuale ‘’ të kryer gjatë vitit 1999 në Komunën e Vushtrrisë./Telegrafi/