Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj policit Shefqet Kamberaj, i cili dje rreth orës 2:00 në Deçan ka privuar nga jeta 35-vjeçin Ilmi Lufaj nga Strellci i Ulët.
Ndër arsyet e përmendura nga Gjykata rreth kësaj mase janë mundësia e ikjes e të pandehurit dhe mundësia që ai të ndikojë te dëshmitarët e rastit.
Kërkesën për paraburgim ndaj zyrtarit policor e ka bërë prokurori i rastit, Haxhi Sinani, nën dyshimin se ai ka kryer veprën penale të vrasjes.
Në arsyetimin e kërkesës, prokurori ka nënvizuar se polici duhet të qëndrojë në paraburgim edhe për shkaqe të sigurisë pasi që marrëdhëniet në mes dy familjeve janë acaruar dhe policia është duke ruajtur shtëpinë e policit.
Prokurori Sinani ka njoftuar se rreth rastit të vrasjes do të intervistohen 4 dëshmitarë, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes.
LEXO PO ASHTU: Rrëfimi për vrasjen në Deçan: Ja si e vrau polici 35 vjeçarin nga Strellci (Video)
Në seancën paraprake të mbajtur sot, i akuzuari Shefqet Kamberaj e ka dhënë versionin e tij rreth ngjarjes.
“Nuk kam pasë të bëj me një qytetar të thjeshtë dhe të ndershëm, por me një të dyshuar, i cili ka qenë 10 vjet i dënuar dhe ka shumë raste në policinë e Deçanit për vepra të ndryshme penale”, ka thënë polici i akuzuar për vrasje.
Zyrtari policor Shefqet Kamberaj akuzohet se rreth orës 2:00 të së hënës ka qëlluar me armë Ilmi Lufajn, i cili nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin e Pejës.
Ngjarja ka ndodhur në Deçan, afër Stacionit Policor.
Meqë i ndjeri Lufaj ka qenë ushtar dhe veteran i UÇK-së, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë organizuar një mbledhje përkujtimore në Kuvendin Komunal të Deçanit.
Ilmi Lufaj është varrosur sot në varrezat e fshatit Strellc i Ulët.