Telegrafi

Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se vrau me thikë vjehrrin e tij në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për të pandehurin E.B, i cili dyshohet se ka vrarë babanë e gruas së tij.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B andaj të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Lexo po ashtu Vrasja e rëndë, dhëndri theri me thikë vjehrrin në Prishtinë

Të pandehurit E.B iu është caktuar masa e paraburgimit në harmoni me nenin të nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 e lidhur me nenin 185, 186, 187 të KPPRK-së.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.D ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë nga neni 173 të KPRK-së, në atë mënyrë që me datë 29.11.2023, rreth orës 21:15, pas një mosmarrëveshje në mes të të pandehurit E.B dhe babait e vëllait të bashkëshortes së tij, ku kishin filluar përleshjen në mes vete, ku gjatë përleshjes fizike në mes tyre, me dashje që t’a privojë nga jeta, i pandehuri E.B e godet me armë të ftohtë – me thikë tani të ndjerin A.K”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/