Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për personin që dyshohet për dhunimin e një femëre në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit L. H. për vepër penale të dhunimit.

Siç njofton gjykata, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes së javës së kaluar, në Shkugëz të Gjakovës, i dyshuari L. H. e ka detyruar të dëmtuarën H. M. që të kryejë aktin seksual me dhunë dhe pa dëshirën e saj, dhe të njëjtën e incizon gjatë aktit, duke e kërcënuar se në qoftë se e paraqet rastin në polici, do ta publikonte videon.

Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Dhunim”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore e Gjakovës thotë se i pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 18 korrik dhe do të zgjasë deri më 17 gusht.

Ndërsa, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale./Telegrafi/

Exit mobile version