Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për ish-kryeshefin e një ndërmarrje publike në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për shtetasin kosovar S.T, ish-kryeshef i një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë, pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar që në periudhën kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të një ndërmarrje publike komunale në Mitrovicë, i dyshuari S.T, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të akontacioneve (paradhënieve), për vete shumën prej 35,337.00 €, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82,663.00 €.

Me këto veprime i dyshuari S.T, dyshohet që i ka shkaktuar dëm kompanisë rajonale komunale një dëm në vlerë të tërësishme prej 118,913.18 €, me çfarë dyshohet që me veprimet e tij ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur më 14 shkurt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një muaji. /Telegrafi/

 

Exit mobile version