Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim për gjilanasin që ia dha veturën të dyshuarit për bartjen e lëndëve narkotike

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit I. Z.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, ekziston dyshimi se me datë 28.09.2021, në fshatin Livoç i Ulët, Komuna e Gjilanit, i pandehuri i ka vënë në dispozicion mjetin për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që makinën e tipit “Ford Fiesta”, ia ka dhënë në shfrytëzim të pandehurit J. H., i cili e ka njoftuar se me këtë veturë do të bartë lëndë narkotike të tipit ”kokainë”, nga Gjilani e deri në fshatin Stançiq, me peshë prej 144.7 gram, e që i pandehuri J. arrestohet ditë më parë dhe substanca narkotike i sekuestrohet.

“Me këto veprime, i pandehuri I. Z. dyshohet të ketë kryer veprën penale: ndihma në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version