Gjykata Themelore e Ferizajt u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy personave të arrestuar, si të dyshuar për rastin e grabitjes në Shtime.
Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, thuhjet se kjo Gjykatë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.T. dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale grabitje nga neni 317 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Të pandehurit dyshohen se më 7 gusht 2019, në Shtime, duke vepruar si anëtar të grupit së bashku me A.T.1. (i cili gjendet në arrati), me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër, e që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, kanë kryer grabitje në dëmë të të dëmtuarit N.N., në atë mënyrë që fillimisht të pandehurit janë takuar në Prishtinë dhe me veturë kanë shkuar në drejtim të Shtimës, dhe rrugës së tranzitit janë futur në fshatin Petroviç, ku aty kanë ndaur veturën dhe nga e njëjta kanë dal tani i ndjeri F.G. dhe A.T., ndërsa A.T.1. dhe A.M, kanë mbetur në veturë, ashtu që të njëjtit të armatosur janë futur në shtëpinë e të dëmtuarit dhe nga aty kanë marr shumën e të hollave prej 24.000 franga, ku në atë momentë janë hetuar nga ana e familjarëve dhe gjatë përleshjes në terasën e shtëpisë, i dëmtuari N.N. mbetet i plagosur me armë zjarri dhe në atë gjendje së bashku me të dëmtuarin tjetër A.N., i ndjekin nga pas dhe pas diku 200-300 metra e kapin të pandehurin F. ku edhe aty përleshën me ç’rast në vendin e ngjarjes mbetet i vdekur F.G., ndërsa të pandehurit e tjerë me të dëgjyar krismat e armës, largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitës së nenit 187 të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftim.