Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.K dhe H.P për veprën penale “grabitje”.
Siç njofton kjo gjykatë, të pandehurve R.K dhe H.P i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Të pandehurit R.K dhe H.P dhe po ashtu një person tjetër deri me tani i pa njohur për Gjykatën, dyshohen se më 22.12.2017 rreth orës 09:30 min, në rrugën Bekim Mavraj” në fshatin Hajvali, të Prishtinës kishin vepruar në grupe si dhe të pajisur me revole dhe të maskuar kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarave M.J, H.M dhe L.J, duke ju kërkuar të holla dhe duke i goditur fizikisht.
Siç thuhet në njoftim ata kishin arritur të marrin në fillim 800 euro, po ashtu edhe portofolin e njërës prej të dëmtuarave në të cilin kishte 1500 euro, 50 dollarë, dokumentet, një lirë dhe një telefon Samsung dhe më pas kishin arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes, me automjetin e tyre.
“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat se të pandehurit po të gjenden në liri mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve R.K dhe H.P është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e tyre në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore. /Telegrafi/