Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i arrestuar nën dyshimin për korrupsion.
Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Krasniqi është arrestuar të mërkurën pas bastisjeve që janë kryer nga njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.
Lidhur me këtë, pati reagime të ashpra nga opozita parlamentare.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, tha se kjo çështje [arrestimi] ka fakte, me të cilat merret sistemi i drejtësisë, dhe se nuk duhet “të zhvillohet gjyq në Kuvend për Nagip Krasniqin”.
“Është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e Nagip Krasniqit. Por, ky është fakt i opozitës nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, që ka pasur keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria”, u shpreh Kurti./Telegrafi/