Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit Sh. B., nën dyshimin se për një kohë të pacaktuar ka shfrytëzuar seksualisht të miturën L. S., e cila për shkak të natyrës biopsikike, nuk ka mundur të gjykojë ose të vlerësojë pasojat e marrëdhënieve seksuale.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale dhunim sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.