Telegrafi

Një muaj paraburgim për deputetin Demaliaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për deputetin e AAK-së Shkumbin Demaliaj.

Kështu thuhet në njoftimin për media të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Deputeti Demaliaj është arrestuar dje si i dyshuar për kanosje ndaj ish prokurorit Elez Blakaj.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më  datës 17 shtator  i pandehuri SH.D në Prishtinë, në Televizionin RTK gjatë një emisioni televiziv ka kanosur publikisht ish – prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Elez Blakaj, për shkak të detyrës zyrtare, po ashtu i pandehuri SH.D ka vazhduar me kanosje edhe me datën  25 shtator në një emision në ‘Televizionin T7’”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.D është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe po ashtu i pandehuri po të gjendet në liri mund ta pengojë rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar tek i dëmtuari – dëshmitari, i cili ende nuk është marrë në pyetje në Prokurori dhe ekziston rreziku se i pandehuri do të ndikoj edhe te familja e tij.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/