Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pandehurit I. J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale; kanosje, lëndim i lehtë trupor dhe marrje e pasurisë së luajtshme.
I njëjti, pjesëtar i sigurimit të Spitalit të Gjakovës, dyshohet se të mërkurën ka sulmuar fizikisht kameramanin e gazetës online “Nacionale”, Arbër Latifi, në afërsi të këtij spitali.
“Sipas kërkesës, me datën 19 korrik 2023, rreth orës 12:30, tek Spitali ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, i pandehuri seriozisht i kanos të dëmtuarit A. L. dhe G. H., në atë mënyrë që ditën kritike të dëmtuarit nuk lejohen nga i pandehuri që të xhirojnë në hapësirën brenda spitalit, dhe posa i dëmtuari A. L. del jashtë dyerve të spitalit i pandehuri e kanos me fjalët ‘të baj për emergjencë, nale kamerën se ta thej për kry, mos ma prek gishtin se ta marr shpirtin’, dhe e sulmon fizikisht duke e shtyrë ne regjionin e kraharorit dhe duke e goditur tek kamera, pastaj hyn brenda në kabinë e merr një shkop druri dhe më të e godet të dëmtuarin në regjionin e fytit, me ç ‘rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore. Kur e vëren se po incizohet nga e dëmtuara G. H., të njëjtës i drejtohet me fjalët kërcënuese ‘nëse dalin videot dikun ti ki mu përgjigj privatisht edhe menjëherë dilem jashtë se të ngrehi zhag prejt ktuhi’, afrohet tek e dëmtuara dhe me forcë ia merr telefonin nga dora me qellim që t’i fshijë video incizimet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer tri vepra penale, ”Kanosja”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe veprën penale “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, duke marrë parasysh se hetimet formale janë në fazën fillestare të tyre dhe me gjetjen e të pandehurit në liri, rrezikohet ndikimi në dëshmitarë dhe dëmtimi i prova të tjera që do të sigurohen nga organi i akuzës.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 19 korrik 2023 dhe do të zgjasë deri më 18 gusht 2023.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/