Telegrafi

Vrasja në “Bon Vivant”, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit të dytë

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej të muaji të pandehurit me inicialet N.LL, i dyshuar për vrasjen në “Bon Vivant”.

I njëjti është ndaluar pesë ditë më parë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes se veprës penale”.

Lexo po ashtu Ndalohet një person lidhur me vrasjen në “Bon Vivant”

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.LL dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, masa e paraburgimit  është caktuar  në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, dhe 1.2.3 të KPPK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes se veprës penale”, thuhet në komunikatën për media të gjykatës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Para se të viheshin në përdorim armët e zjarrit, me 4 gusht në kafiterinë “Bon Vivant” në Prishtinë kishte pasur përleshje mes dy grupeve që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit me inicialet K.R, ndërsa të plagosur mbetën gjashtë të tjerë. Po ashtu, 13 persona, përfshirë klientë të lokalit, pësuan lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo gjësendet tjera.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të gjithë personat e përfshirë në këtë vrasje kanë të kaluar kriminale.

I dyshuari kryesor për këtë vrasje është Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani”, i cili po mbahet në Burgun e Sigurisë së Lartë. /Telegrafi/