Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e axhës së tij në Kijevë

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet B.B., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.

I njëjti dyshohet me datën 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës, në oborrin e shtëpisë së të tij, pas një mosmarrëveshje me axhën e tij tani të ndjerin S.B., e privon nga jeta duke e goditur me pistoletë disa herë, më pas e njofton policinë për vrasjen.

Lexo po ashtu Vrasja në Kijevë të Malishevës, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë

“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ‘Vrasja e rëndë’ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Rashkaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë.

“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 28 prill 2023 dhe do të zgjasë deri më 27 maj 2023”, thuhet tutje.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Telegrafi/