Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për grabitje

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.K për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e në vazhdimësi me të pandehurin A.G. kanë kryer veprat penale Grabitje nga neni 317 par. 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit B.K i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar prej datës 04.03.2020 e deri me datë 03.04.2020.

Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është caktuar pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri A.K në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe mund të jetë të paarritshëm për organet e ndjekjes”, thuhet në njoftimin për media.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/