Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit L. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunës në familje dhe veprën penale të dhunimit.
Sipas kërkesës, “nga 15 janari 2022 deri më 02 maj 2022 në Zhalec, Republika e Sllovenisë, i pandehuri në banesën e tij shkakton dhunë në familje, respektivisht keqtrajtim fizik dhe psikologjik, ndaj bashkëshortes së tij të dëmtuarës A. K., ndërsa me datën 02 maj 2022 në orët e mëngjesit i pandehuri kryen akt seksual me të dëmtuarën A. K., pa pëlqimin e saj”.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale, “Dhuna në familje” dhe ”Dhunimi” të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti është iniciuar në bazë të kërkesës për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë nga Prokuroria e Qarkut në Celje, Republika e Sllovenisë, për transferim të procedurës në çështjen penale kundër të pandehurit L. K. nga fshati P., i Malishevës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 6 korrik 2023.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/