Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit B.M për aksidentin me veturë ku kishte mbetur e vdekur një foshnje, H.C dhe katër të tjerë ishin lënduar.
Një masë e tillë është caktuar nga kjo gjykatë pas seancës dëgjimore të mbajtur të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas arsyetimit të gjykatës ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit duke marrë parasysh natyrën dhe peshën e veprës penale e sidomos mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” i dyshuari do të qëndrojë nën masën e paraburgimit e cila do të llogaritet nga momenti i arrestimit të dyshuarit më 15 gusht 2021 dhe do të zgjasë deri më 14 shtator 2021.
Ndryshe, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të 16 gusht 2021 ekziston dyshimi i bazuar se deri sa i akuzuari B.M po e drejtonte automjetin e tij, ka vepruar me pakujdesi duke rrezikuar trafikun publik në atë mënyrë që ka filluar ta bënte tejkalimin e automjeteve dhe në pamundësi për ta kontrolluar apo ndalur automjetin me kohë ishte goditur nga automjeti tjetër.
Me këtë rast si pasojë e goditjes kishin pësuar lëndime trupore E.K, D.P, S.P, R.P, ndërsa foshnja H.C kishte vdekur.