Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj shoferes që shkaktoi aksident me fatalitet në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimimt prej një muaji të dyshuarës Y.B, pasi dyshohet se më 26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani”, ka shkaktuar aksidentin ku mbeti i vdekur këmbësori Sh.H (26-vjeçar).

E pandehura Y.B me datë 26.02.2024 në Prishtinë dyshohet se nga pakujdesia, derisa ishte duke ngasur automjetin e saj, kishte vepruar me kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor.

Gjykata thotë se ngasesja nuk e ka përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës, në mënyrë të pa kontrolluar e godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja semafori rrëzohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, ku si pasojë e lëndimeve, tani i ndjeri  SH.H kishte ndërruar jetë.

Lexo po ashtu Familjarët e 26 vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë i falin gjakun familjes së shoferes

Ndërkaq, për pretendimin e Prokurorisë lidhur me mundësinë e ndikimit të të dyshuarës Y.B., në prova apo dëshmitarë, sipas gjykatës janë pretendime të paarsyetuara dhe pararafrazim i dispozitave, pasi që në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nuk ceket se në cilin dëshmitar apo prova mund të ndikohet.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë./Telegrafi/