Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve H.M., B.H., S.M.1., S.M.2, dhe L.M., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandim me Migrant dhe “Falsifikim i dokumenteve dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas një njoftimi për media thuhet se pesë të pandehurve H.M., B.H., S.M.1., S.M.2, dhe L.M., gjykata ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, përkatësisht deri më datën 24.04.2021.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të fshihen apo të ikin me qëllim të shmangies nga prania e tyre në fazat e më vonshme të zhvillimit të kësaj procedure penale, po ashtu po të gjendën në liri, të njëjtit mund ti kontaktojnë dëshmitarët dhe të ndikojnë në ta, e në ketë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/