Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj personit që dyshohet se mbyti me sëpatë babin e tij në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë me Propozim për Masën e Trajtimit dhe Ekzaminimin Psikiatrik kundër të pandehurit M.R.

“Të pandehurit M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe Gjykata do të lëshojë urdhëresë për ekzaminimin psikiatrik për të pandehurin, pasi që i njëjti dyshohet se në gjendje të çrregullimit mendor ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika 1.3 të KPRK-së.

Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187, par. 1.1 dhe par 1.2 pika 1.2.1 pika 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPP për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit M.R.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, se po të gjendet në liri i pandehuri M.R mund të përsëris veprën penale, pasi që i pandehuri duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore me datë 20.07.2020, rreth orës 17:30, në Fushë Kosovë, në shtëpinë e tij e ka privuar nga jeta babain e tij, duke e goditur të ndjerin me sopat në kokë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Pala ka të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/