Site icon Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj një personi për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen penale kundër të pandehurit M.B., për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

“Të pandehurit M.B paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 187 par. 1.1 sepse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, po ashtu plotësohen kushtet nga paragrafi 1.2.1, 1.2.2. dhe par. 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe konsideron se plotësohen të gjitha kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe kërkesa është e bazuar”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version