Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj 39-vjeçarit që dyshohet se dhunoi mbesën e mitur në Istog

Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim i është caktuar 39-vjeçarit që dyshohet se dhunoi mbesën e tij në fshatin Vrellë të Istogut.

Masa e paraburgimit është caktuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, pas kërkesës nga Prokuroria e Shtetit.

Lajmin e ka ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Seanca e procedurës paraprake është mbajtur dje. Gjyqtari ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit ne kohëzgjatje prej 30 ditësh”, ka thënë Nikçi.

Rasti i dhunimit ka ndodhur në shtator të vitit 2021, ndërsa u raportua dje (e martë). Policia njoftoi përmes raportit 24 orësh se viktima është 15-vjeçare.

Personi që dyshohet se e dhunoi të miturën nga Istogu, është vetë xhaxhai i saj.

“Më datë 24 tetor 2022, rreth orës 13:30, viktima ka raportuar në Stacionin Policor në Istog se ishte dhunuar seksualisht”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

39-vjeçari u arrestua menjëherë pas raportimit.

I.M i dyshuar për dhunimin e mbesës, pas arrestimit shfaqi shenja se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Ai gjendet në Spital për shkak të një operimi të mëhershëm. Po trajtohet në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Qendror të Pejës dhe ruhet gjatë gjithë kohës nga Policia e Kosovës.

Mjeku i cili ishte kujdestar në kohën kur i dyshuari u pranua në spital, Bekim Rama, tha se I.M është jashtë rrezikut për jetë, prandaj nuk ka arsye të qëndrojë më gjatë në spital.

I.M jeton afër shtëpisë së viktimës.

Ky është vetëm një nga dhjetëra rastet muajve të fundit të raportuara të dhunimit të grave në Kosovë dhe nuk është i vetmi që viktimat e kanë raportuar pas një kohë të ndodhisë, kryesisht pas diskutimit më të shpeshtë për raste të tilla në publik. /Telegrafi/