Komuna e Malishevës, tash e një muaj është në karantinë, vendim ky i marrë nga Qeveria e Kosovës, si masë mbrojtëse kundër coronavirusit(COVID-19).
Përmes një komunikatë për medie, Komuna e Malishevës ka bërë të ditur bilancin e saktë të prezencës së këtij virusi në këtë komunë.
“Bilanci i prezencës së këtij virusi në Komunën e Malishevës, është ky: 69 të prekur, prej tyre një person ka vdekur, ndërsa janë shëruar 15 persona. Pra kemi numrin më të madh të të infektuarve, e gjithashtu edhe numrin më të madh të të shëruarve në nivel vendi, dhe kjo është arsyeja se pse duhet ti zbatojmë këshillat e institucioneve përgjegjëse shëndetësore, për të qëndruar në shtëpi, kur të dalim ta ruajmë distancën sociale dhe të mos dalim pa nevojë, ndërsa pastrimi i shpeshtë i duarve është një mënyrë shumë efikase për tu mbrojtur”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, janë bërë të ditura edhe masat që janë marrë në nivel komune, që nga paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në këtë komunë.
“Me paraqitjen e rasteve të para, Komuna e Malishevës, e ka formuar shtabin emergjent për menaxhimin e situatës me COVID-19, si dhe kemi zbatuar të gjitha masat dhe vendimet qeveritare. Po ashtu është aktivizuar edhe Qendra Operative Emergjente Lokale në Malishevë, e cila është në shërbim 24 orë në ditë. Gjatë një muaji, jemi përkujdesur për të gjitha familjet në nevojë, e sidomos për familjet dhe personat e prekur me COVID-19, si në aspektin e sigurimit të ushqimeve, ashtu edhe për shërbimet shëndetësore, përmes ekipeve mobileve të cilat janë në shërbim 24 orë në ditë”, thuhet në komunikatë, ku madje bëhet e ditur se rol të madh në zbatimin e masave, janë duke luajtur edhe subjektet politike në Malishevë, të cilat pa rezervë po i përkrahin të gjitha masat.
Por, ka edhe shumë tëë dëmtuar në Malishevë, si pasojë e kësaj gjendjeje, ashtu siç ka edhe në gjithë territorin e Kosovës.
“Të qenit në karantinë dhe kufizimi i ushtrimit të veprimtarive bujqësore dhe biznesore, si dhe kufizimi i lëvizjes për qytetarët, pa dyshim që i ka pasojat e veta, pasi shumë biznese janë dëmtuar, shumë persona kanë mbetur pa punë, e po ashtu, do të dëmtohet edhe sektori i bujqësisë, por në fund të fundit, jeta dhe shëndeti i popullatës është mbi të gjitha. Zbatimi i masave dhe këshillave për tu mbrojtur, na lehtëson daljen më të shpejtë nga kjo situatë, dhe rifillimin e jetës normale, duke ju kthyer punës dhe aktiviteteve tona të përditshme, prandaj, ju lusim të gjithëve, që këto ditë, të jemi shumë të kujdesshëm në zbatimin e këtyre masave dhe këshillave, për ta ruajtur jetën dhe shëndetin e familjarëve tanë dhe të gjithë vendit”, thuhet në komunikat.
Komuna e Malishevës ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të durueshëm edhe për pak kohë dhe të rrin në shtëpi. /Telegrafi/