Site icon Telegrafi

Një muaj burg për ish-gjeneralin serb

Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Podujevë ia ka shqiptuar dënimin prej një muaji burgimi ish-gjeneralit Milan Bojoviq.

Lajmin e konfirmoi gjyqtarja Elhame Paçarada që i shqiptoi këtë dënim ish-gjeneralit të ushtrisë jugosllave dhe asaj serbe.

Paçarada bëri të ditur se dënimi lidhet me kalimin ilegal të kufirit nga Bojoviqi.

Ajo tha se me aktvendim të veçantë ish-gjeneralit i është caktuar edhe masa e paraburgimit derisa dënimi t’i bëhet i plotfuqishëm.

Ky paraburgim sipas gjyqtares nuk duhet të zgjasë më shumë se dënimi i shqiptuar.

Bojoviq u ndalua të enjten, ndërsa më së pari për këtë reagoi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) që e konsideroi ish-gjeneralin përgjegjës për krime lufte ndaj civilëve në vitet 1997-1999.

Por kur u pyet se a ka hetime për vepra tjera ndaj Bojoviqit, gjyqtarja Paçarada deklaroi se “ne e kemi pasur rastin vetëm për kalim ilegal të kufirit”, raporton KALLXO.com.

Paçarada nuk e tregoi as motivin që e shtyri ish-gjeneralin Bojoviq ta kalojë kufirin ilegalisht.

“Motivi nuk është i rëndësishëm për gjykatën”, tha Paçarada.

Exit mobile version