Site icon Telegrafi

Një muaj arrest shtëpiak për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës F.C për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 dhe Marrja e ryshfetit nga neni 428 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurës F.C i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura F.C duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke kërkuar dhe pranuar para nga e dëmtuara M.G për përshpejtimin e rregullimit të disa dokumenteve mjekësore për të dëmtuarën”, thuhet në njoftimin për media.
Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është e arsyeshme për zhvillimin e procedurës penale pa pengesë në sigurimin e prezencës së të pandehurës në procedurë,ndikimin në të dëmtuar apo dëshmitarë dhe në parandalimin e përsëritjes së veprës penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version