Site icon Telegrafi

Një mrekulli e vogël e natyrës: Sekreti i gurëve shumëngjyrësh të liqenit McDonald

Nga e kuqja e zjarrtë deri te e kafenjta e shndritshme, nga e kaltra e errët deri te e gjelbra e zbehtë, gurët shumëngjyrësh të liqenit McDonald krijojnë ngazëllim, si të vizitorëve të liqenit, ashtu edhe të atyre të cilët i shohin në fotografi

Liqeni Mekdonald është njëri ndër 700 liqenet e Parkut Nacional Glacier në shtetin amerikan Montana.

Për shkak të temperaturave të ulëta, të cilat pengojnë rritjen e planktoneve, uji i liqenit është jashtëzakonisht i kthjellët dhe transparent, madje edhe në vendet ku thellësia është 9 metra.

I mbuluar me ujë të kthjellët, “yjet” e vërteta të këtij liqeni janë gurët e vegjël të tij me ngjyra ylberi, transmeton Telegrafi.

Pra, cili është “sekreti i dukjes së tyre”, si është krijuar guri shumëngjyrësh?

Është krijuar gjatë shekujve. Gurët janë formuar nga shkëmbinjtë e kuq dhe të gjelbër, dhe janë të pasur me hekur, ndërkaq ngjyrat janë rezultat i (mos)ekspozimit të gurëve ndaj nxehtësisë dhe ajrit.

Për shembull, ngjyra e kuqe e zjarrtë do të thotë që shkëmbi është gjendur në ujë të cekët dhe që për shkak të baticës dhe zbaticës së ujit shpesh i është ekspozuar ajrit.

Ngjyra e gjelbër e errët na tregon që shkëmbi, edhe pse përmban sasi të njëjtë hekuri, është formuar në ujë të thellë, andaj nuk ka qenë i ekspozuar ndaj oksigjenit.

Me mijëra vite uji ka thyer këta shkëmbinj në pjesë të vogla, ndërkaq erozioni i lumit i ka shndërruar në zhavorr të lëmuar i cili sot na mrekullon.

/Telegrafi/

Exit mobile version