Telegrafi

Një i moshuar i Shangait duke u dërguar në një morg, i futur në një qese – pastaj u kuptua se ishte ende gjallë

Një banor i një shtëpie pleqsh në Shangai u dërgua gabimisht në një morg i vendosur në një qese trupi – ndërsa ai ishte ende gjallë.

Në një video që është bërë virale, disa punëtorë në pajisje mbrojtëse personale shihen duke rihapur një qese të mbyllur, pasi vunë re se burri brenda po lëvizte, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.

“Ai është gjallë. Ai është gjallë. A e pa? Mos e mbulo më atë”, thotë një nga punëtorët, i cili u shfaq në mediat sociale kineze të dielën.

Ndërkohë dëgjohet edhe personi që filmon videon duke komentuar: “Si mund të ndodhë një gjë e tillë? E futën në makinë dhe e nxorën përsëri jashtë… Është e papërgjegjshme, vërtet e papërgjegjshme”.

Videoja, e cila u shpërnda gjerësisht në internet, ka ngjallur zemërim të gjerë.

“Njerëzit nuk po vdesin nga Covid-19 në Shangai. Ata po vdesin për shkak të trajtimit çnjerëzor”, komentoi një përdorues i Weibo.

Zyrtarët lokalë konfirmuan incidentin të hënën, duke thënë se banori i moshuar është dërguar në spital dhe aktualisht është në një gjendje të qëndrueshme. /Telegrafi/