Një veturë e dyshimtë bombë është gjetur në afërsi të Stadio Olimpicos para ndeshjes së ‘Euro 2020’, ndërmjet Italisë dhe Zvicrës – njofton Corriere dello Sport.
Sipas këtij njoftimi, mjeti shpërthyes është shkatërruar përmes një eksplodimi të kontrolluar (megjithëse nuk ka pasur konfirmim zyrtar nëse ka qenë bombë).
Mjeti i dyshimtë ndodhej brenda veturës së parkuar në zonën Piazza Mancini në afërsi të stadiumit në kryeqytetin italian, Roma.
Tifozët kanë ecur përgjatë këtyre rrugëve për të arritur në stadium para ndeshjes, i cili ishte hapur me 25 për qind të kapacitetit për sfidën e Kampionatit Evropian.
Dikush e ka vërejtur mjetin e dyshimtë brenda një veture Smart të parkuar dhe i ka thirrur autoritetet.
Intervenimi ka qenë i menjëhershëm, ndërsa skuadra e bombave ka bërë shpërthim të kontrolluar rreth orës 18:00 të ditës së sotme (e mërkurë). /Telegrafi/