Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, të premten kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në Dragash, në vlerë rreth 1 milion euro.
Sipas një njoftimi, me anë të këtij memorandumi do të financohet realizimi i ndërtimit të rrugëve Trokan – Brrut në vlerë prej 550.000 eurosh, Brezne – Trokan në vlerë 150.000 eurosh, Strazimir – Dragash në vlerë 100.000 eurosh, Restelicë – Dragash në vlerë 10.000 eurosh, si dhe vazhdimi i asfaltimit të rrugës Restelicë – kalimi kufitar Strazimir në vlerë 150.000 eurosh.
“MI obligohet të sigurojë mjetet financiare në përputhje me realizimin e punimeve sipas kushteve të kontratës dhe do të caktojë një zyrtar për mbikëqyrjen e realizimit të projekteve nga fillimi deri në përfundim të kontratës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, po sipas njoftimit, Komuna e Dragashit obligohet që t’i krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomik dhe zhvillimin e projekteve në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.
Po ashtu, thuhet më tej, Komuna obligohet të kryejë procesin e tenderimit dhe të caktojë komisionin për hapjen e ofertave dhe vlerësimin e tenderëve. /Telegrafi/