Pas një takimi më ministrin e punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, drejtues të Policisë së Tiranës, Departamentit të Antiterrorit kanë hartuar planin për monitorimin e protestës së sotme.
Rreth një mijë policë pritet të angazhohen, ndërsa në gatishmëri të përforcuar do jenë komisariatet e kryeqytetit, reparti i Shqiponjave, forcat RENEA por dhe Forca te Ndërhyrjes së Shpejtë.
Efektivët do vendosen përgjatë perimetrit të godinës së ish-teatrit, ndërsa këtë të hënë janë ushtruar kontrolle të automjeteve që vinin nga rrethet.
Përgatitjet kanë nisur dhe institucionet qeveritare, konkretisht pranë drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë zhvendosur të gjithë automjetet e policisë, në rast se protestuesit do zhvendosen drejt kësaj godine.
Nën mbikëqyrje do të jenë dhe institucione të tjera qeveritare nga policia për çdo situatë të mundshme që mund të përshkallëzojë.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur protestë sot në orën 16:30, të cilës do t’i bashkohet edhe opozita. /Ora News/