Për kë është më e dobishme?
Shkencëtarët e dinë prej disa kohësh se me ndihmën e stimulimit elektrik mund të ridrejtojnë lëvizjen e qelizave të lëkurës.
Është shumë e dobishme kur bëhet fjalë për lëndime.
Për shumicën e njerëzve, një plagë e vogël nuk përbën problem apo kërcënim për shëndetin, por te të moshuarit ose personat me sëmundje kronike, ato mund të shërohen shumë më ngadalë.
Kjo më pas mbart me vete disa rreziqe, të tilla si një mundësi më e madhe për të marrë një infeksion ose mundësinë që një plagë e zakonshme të bëhet kronike, transmeton Telegrafi.
Tani një grup studiuesish nga Universiteti i Freiburgut dhe Universiteti i Teknologjisë Chalmers në Suedi, ka zhvilluar një metodë që përdor stimulimin elektrik për të përshpejtuar procesin e shërimit të plagëve.
“Me ndihmën e metodës sonë, plaga mund të shërohet deri në tre herë më shpejt, gjë që ndryshon gjërat kur bëhet fjalë për diabetikët dhe të moshuarit, thotë Marija Asplund, profesoreshë e asociuar e bioelektronikës në Universitetin e Teknologjisë Chalmers.
Nxitja e qelizave për shërim më të shpejtë
Shkencëtarët e kanë ditur prej disa kohësh se stimulimi elektrik mund të përdoret për të shëruar plagët dhe dëmtimet e lëkurës. Ideja është që qelizat e lëkurës janë elektrotaktike, që do të thotë se ato mund të “migrojnë” në një mënyrë të synuar në fushat elektrike. Kështu ata përdorën këtë parim për të udhëhequr qelizat e lëkurës dhe për të bërë plagët të shërohen me ndihmën e një çipi të vogël. Rezultati në krahasim me lëkurën ku qelizat nuk stimuloheshin ishte goditës.
“Kjo çoi në shërim tre herë më të shpejtë në krahasim me një plagë jo të stimuluar nga elektriciteti”, thotë Asplund.
Gjatë studimit, studiuesit u fokusuan gjithashtu në shërimin e plagëve tek njerëzit me diabet, një problem shëndetësor në rritje në mbarë botën. Doli se edhe në këtë rast, stimulimi elektrik mund të rrisë shpejtësinë e shërimit të plagëve, me një efekt pothuajse identik si te njerëzit e shëndetshëm.
Studiuesit besojnë se këto rezultate do t’i lejojnë ata të vazhdojnë kërkimet e tyre, si dhe zhvillimin e një produkti për shërimin e plagëve që do të vendoset në treg. Produkte të ngjashme ka pasur edhe më parë, por ata theksojnë se janë të bindur se metoda e tyre është çelësi për të ndihmuar në mënyrë efektive individët me plagë që shërohen ngadalë. /Telegrafi/