Telegrafi

Një metër dru, 55 euro

Moti i ftohtë dhe me borë, i cili po mbretëron kohëve të fundit në vend, më së shumti i ka gëzuar shitësit e druve në kryeqytet, ku një metër kub dru po shitet deri në 55 euro e derisa pak kohë më parë ai sillej rreth 30 euro. Sipas shitëseve në treg, çmimi i drurit pritet të ngrihet edhe më shumë nëse mban acarë i madh ditëve në vazhdim.

Ata thonë se çmimi mund të arrijë deri në 80 euro për metër kub. Arsyet sipas shitëseve është moti i ftohtë, si dhe shtrenjtimi i rrymës.

Bashkim Aliu, shitës në treg, ka thënë se ngritja e çmimit të druve ka filluar qysh prej shtrenjtimit të energjisë elektrike, por tash me motin e ftohtë pritet që çmimi të rritet edhe më shumë, për shkak të mungesës së druve “Para disa ditësh çmimi për metër kub dru ka kushtuar 37 euro, mirëpo momentalisht çmimi sillet nga 45 deri në 50 euro, por që varet nga lloji i drurit.

Por, ky çmim pritet të rritet dhe të shkojë deri në 80 euro, për shkak të motit të ftohtë. Kur ka acar të madh e shtrenjtojmë për shkak se nuk mundemi t’ju sigurojmë dru, edhe ne e blejmë drurin dhe normal se e shtrenjtojmë, pasi që edhe ne duhet të fitojmë diçka, pavarësisht se shumica e qytetarëve ankohen nga çmimi i lartë. Arsyeje tjetër mbetet edhe ngritja e çmimit të rrymës” ka thënë ai. /Zëri/Telegrafi/