Ministria e Shëndetësisë në kuadër të një projekti të ri për ndërgjegjësim, po realizon një fushatë me figurat e njohura publike, për t’i bërë thirrje popullatës që të marrin vaksinën anti-COVID.
Në video-mesazhin e radhës, MSh kanë zgjedhur këngëtaren e njohur të muzikës popullore, Shyhrete Behluli.
Ajo përmes një thirrjeje e cila është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook, iu ka bërë thirrje të gjithë fansave të muzikës së saj që të mos e neglizhojnë procesin e vaksinimit.
“Me shfaqjen e pandemisë COVID-19, ndoshta të vetmen shpresë e kemi pasur që një ditë të kemi vaksinën. Tani që vaksina është në vendin tonë, unë dhe familja jonë nuk hezituam – e morë vaksinën. Vaksinohuni edhe ju, ruani shëndetin”, ka thënë Shyhrete Behluli përgjatë videos.
Ndërkohë, numri i infektimeve me COVID-19/Delta është në një rritje enorme ditëve të fundit, në nivel vendi.
Vetëm në Kosovë të enjten u evidentuan mbi 1009 raste të reja të infektimit, një ditë pasi u regjistruan mbi 888 raste. /Telegrafi/