Site icon Telegrafi

Një audio-mesazh “deepfake” me zërin e Bidenit iu bëri thirrje banorëve të mos merrnin pjesë në zgjedhjet e New Hampshire, reagon Shtëpia e Bardhë

Një audio-mesazh me “deepfake” me zërin e presidentit amerikan Joe Biden, iu bëri thirrje banorëve të New Hampshire të mos merrnin pjesë në votimin e zgjedhjeve për kandidatë të mbajtura të martën.

Mesazhi i rremë telefonik përmes audios, u shpërnda tek votuesit e shumtë në New Hampshire, transmeton Telegrafi.

Aty thuhej kinse Biden iu bëri thirrje banorëve që “ta ruanin votën e tyre për zgjedhjet e nëntorit”.

Lexo po ashtu Si mund ta ndryshojnë botën videot “deepfakes” – të cilat përdorin teknologjinë për të kopjuar muskujt e fytyrës dhe zërin e dikujt

Thirrja ishte bërë përmes numrit të Kathy Sullivan-ish-kryetares së Partisë Demokratike- dhe ajo paralajmëroi autoritetet, duke thënë se ishte një “ndërhyrje e drejtpërdrejtë në zgjedhje dhe një përpjekje për të ngacmuar atë dhe votuesit e tjerë të New Hampshire”.

Nuk dihet se sa njerëz pranuan këtë thirrje, por një zëdhënës i Sullivan pretendoi se ishin të paktën një mori prej tyre.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, ku sekretarja e shtypit Karine Jeane-Pierre deklaroi se mesazhi me të vërtetë ishte i rremë dhe jo i incizuar nga presidenti Biden.

“Presidenti e ka bërë të qartë se ekzistojnë rreziqet nga ‘deepfakes’, dhe imazhet e rrema dhe mesazhet e rreme mund të përdoren nga teknologjitë në zhvillim”, deklaroi Pierre.

Departamenti i Drejtësisë në New Hampshire ka filluar hetimet.

Paralajmërime të shumta ka pasur për keqpërdorimin e Inteligjencës Artificiale dhe videove të montuara apo të ashtuquajturat deepfakes, e sidomos tani afër zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

Startupi i njohur për AI, OpenAI, ditë më parë pati thënë se do të aktivizojë mekanizmat për të luftuar pikërisht këto rreziqe.

Të martën u mbajtën zgjedhjet primare presidenciale në New Hampshire, aty ku njerëzit duhet të votojnë se kush duhet të jetë kandidat i partisë për zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor. /Telegrafi/

 

Exit mobile version