Telegrafi

Një luledielli ‘ndriçoi’ Prishtinën, Haradinaj dhe Albana Osmani hapën fushatën sensibilizuese “Dardani je vesh me diell” (Foto)

Sonte (e enjte) në orën 23:00, është bërë hapja e kauzës sensibilizuese “Dardani je vesh me diell” në qendër të Prishtinës.

Të pranishëm në hapjen e kësaj fushate ishin ideatorja e kauzës Albana Osmani, çifti kryeministror: Ramush dhe Anita Haradinaj, si dhe shumë qytetarë të thjeshtë dhe përfaqësues të mediave.

Kjo kauzë sensibilizuese është nisur muaj më parë në Shqipëri e quajtur “Ti je një luledielli” e cila në fokus vë shitjen e 3000 bluzave nën logon e lulediellit, ku të ardhurat e mbledhura përdoren për blerjen e aparaturave të nevojshme për fëmijët që trajtohen nga sëmundjet e gjakut në QKUK.

Lexo po ashtu "Të vishemi me lulediell" për të ndihmuar fëmijët që vuajnë dhe shërimin ta gjejnë në vendin e Dardanëve

Ishte kryeministri Haradianj ai i cili bëri hapjen së bashku me Albanën, ku ndezën llambarinën në formën e lulediellit në mes të sheshit në kryeqytet.

Kjo ndezje simbolike u bë edhe në nder të lumturimit të Nënës Terezë, në datën 19 tetor.

Lexo po ashtu Ramush Haradinaj mbështet fushatën sensibilizuese "Dardani je vesh me diell": Të ndihmojmë të gjithë për fëmijët në nevojë

Kryeministri Haradinaj bëri thirrje që të ndërgjegjësohemi sa më shumë, dhe ftoi të gjithë ata që kanë mundësi që të blejnë bluzat me logon e lulediiellit, në mënyrë që paratë e mbledhura të shkojnë për fëmijët në nevojë.

Ndërkohë, Albana Osmani, e lumtur për nisjen e kësaj kauze në Kosovë, në një prononcim të shkurt për Telegrafin u shpreh: “Jam e lumtur që fushata sensibilizuese nisi sot, shpresojmë që të shesim sa më shumë bluza, sepse është me rëndësi që atyre fëmijëve në nevojë, tu japim një buzëqeshje”.

Pas përfundimit, kryeministri u largua për punët e mëtutjeshme, gjersa në shesh janë vendosur kiosket ku bluzat janë në shitje, dhe të gjithë qytetarët mund t’i blejnë ato në mënyrë që të kontribuojnë për bamirësi. /Telegrafi/