Nga: Tula Stefanidhu (Malakata)
Libri i “Margariti”, Athinë, 1989, f. 125
Përkthyer nga: Petrit Demi
Bashkatdhetar që kthehesh nga Shqipëria! Mos ke mësuar vallë për motrën time? Si ne, çame, nga vendet tona është. Jam e pikëlluar. Asnjë nuk di pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar.
Bashkatdhetar! Ti, që je kthyer para do kohe nga Shqipëria, mos vallë e di nëse rron ende motra ime e dashur?
Ishte truppakë, sygështenjë. E bukur. E martuar së vogli. Bijë e vetme mes katër vëllezërve. Dhe s’kishte mbushur motin që kishte lindur një vajzë. E pamësuar ishte me vështirësitë e jetës.
Të vogla, ktheheshim në ovorua dhe loznim me guralecë. Në sterenë e madhe ulnim kokat dhe thërrisnim të dëgjonim jehonën e zërave tanë.
Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona.
– Ta ketë duruar rrugën e mërgimit?
– Mendoj se po, jeton – përgjigjet zemra e përmalluar. Por, vitet kalojnë pa lajme dhe gjithçka e bren dyshimi dhe ankthi.
Dhe ja, dyzet e ca vjet më pas, nga Shqipëria vjen një letër e përmortshme, bukur shkruar nga vëllai i madh.
Në fillim për të afërmit pyet: Kush rron? Kush nuk është më? Dhe në fund vijnë vuajtje pa fund:
“Sapo lamë vatrat tona, rrugës na vdiq motra jote. Ishte vetëm njëzet vjeç. Dhe nuk vonuan ta ndiqnin e bija dhe i shoqi.
Vdiq edhe i ndjeri baba me gjyshen. Të pambaruara qenë lotët e hidhërimit para se të arrinim të çlodheshim diku.” Letër e kobshme! Kaq vjet zëmërdridhur, kaq vjet dyshimet largoja.
O Zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakatarët, tiranët, paranoitikët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri-tjetrin.