Site icon Telegrafi

‘Letra sekrete’ e Mbretëreshës Elizabeth në Sidnei që nuk mund të hapet edhe për 63 vjet – çfarë dihet dhe çfarë jo, rreth saj?

Një letër sekrete e shkruar nga Mbretëresha Elizabeth është e mbyllur brenda një “kasaforte” në një ndërtesë historike të Sidneit dhe nuk mund të hapet për 63 vjet të tjera.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shënimi i shkruar me dorë u përfundua në nëntor të vitit 1986, pas restaurimit të ndërtesës së Mbretëreshës Victoria në CBD të Sidneit.

Ajo është e vendosur brenda një kutie xhami në një zonë të kufizuar dhe askush nuk e di se çfarë thotë letra – madje as stafi personal i Mbretëreshës.

Sidoqoftë, një gjë dihet – letra nuk mund të hapet deri në vitin 2085.

Drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Sidneit, udhëzimi thotë: “Në një ditë të përshtatshme për t’u zgjedhur nga ju në vitin 2085 pas Krishtit, ju lutemi hapeni këtë zarf dhe përcillni te qytetarët e Sidneit mesazhin tim për ta”.

Ajo thjesht është nënshkruar, “Elizabeth R”.

Ndërtesa e Mbretëreshës Victoria, ose QVB siç njihet gjerësisht, u hap në vitin 1898. Mbretëresha Victoria ishte stërgjyshja e Mbretëreshës Elizabeth.

Elizabeth, e cila u bë mbretëreshë në vitin 1952, vizitoi Australinë 16 herë – herën e parë vetëm dy vjet pasi u kurorëzua.

Ajo ishte vetëm 27 vjeçe – dhe monarkja e parë në fuqi që vizitoi Australinë.

Atëbotë ishte vlerësuar se rreth një milion njerëz dolën për ta parë atë në Sydney.

Ndërkohë Elizabeth dhe burri i saj, Princi Philip, u kthyen në vitin 1963 dhe e vizituan rregullisht gjatë dekadave që pasuan.

Vizita e saj e fundit në Australi ishte në vitin 2011, kur u takua me kryeministren e atëhershme Julia Gillard. /Telegrafi/

Exit mobile version