Telegrafi

Një krodhë bukë

Ilustrim

Nga: Vangjel Koça (1900-1943)

Shqiptari ka parime për jetën e tij vetjake, për jetën familjare, nuk ka dhe nuk çmon parime për atë që thuhet “interes i përgjithshëm”. Kjo gjë rrjedh edhe nga fakti se shqiptari përmes kaq shekujve robërie u mbyll në veten e tij, në familjen e tij, dhe nuk pati raste që ta derdhë këtë “ego” në sheshin altruistik të interesit të përgjithshëm. Prandaj, psikosinteza e shqiptarit është e ngushtë, egoiste, nuk e njeh dhe nuk e ndjen gëzimin e altruizmës; i mungon elementi i përgjithësimit, fuqia e abstraksionit, që i japin jetës një kuptim totalitar.

Po të jetë ndonjë shqiptar që për fat të keq, të tillë shqiptarë janë shumë të paktë sot! – dhe që të ketë të tilla parime, të përpiqet për to dhe të sakrifikohet për to, menjëhere do të shohësh njerëzit të tundin kokën dhe të thonë:

– Mirë se ç’pësoi! Ç’i duheshin atij këto gjëra? Nuk shikonte punën e tij dhe të hante një “Krodhë bukë?”

“Krodha buke” është “puna” e vetme e shqiptarit sot. Në këtë “krodhë” qëndron sot tërë ideali i jetës. Një çikë sikur të rrezikohet ose të humbasë kjo “krodhë” shqiptari e quan vetveten të humbur. Interesi i përgjithshëm për shqiptarin është një “res nullius” dhe prandaj është një gjëmë e madhe të humbasë “krodhën” për një gjë që s’është e asnjeriut. Për këtë shkak shqiptari, si kolektivitet, nuk çau kokën as për çlirimin e tij nga skllavëria turke, çlirim për të cilin romancierët e nga: historisë dhe pseudoromantikët e nacionalizmës le të më japin leje të shpall këtu një herezi. – Vetëm pemë e përjekjeve të pak shqiptarëve si edhe e lodrave të interesave politike të huaja ndryshuan fatin e Shqipërisë. S’më dalin akoma nga mendja fjalët që dëgjova atëhere nga shumë gojë të popullit, kur Qeveria turke zuri një komit shqiptar dhe xhandarët e shkonin nga mesi i pazarit që ta shpinin në “hapsane”.

Edhe ky “spurdhik” të matet me një goxha Dovlet? S’i japin një dru të mirë që të vërë mend?