Site icon Telegrafi

Një kompani ndalon shitjet e kajakëve në dy shitoret e saj në Francë pasi emigrantët po i përdorin për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar

Rrjeti francez i shitjes me pakicë i pajisjeve sportive Decathlon po tërheq kajakët nga shitja në dyqanet e tij në Calais dhe Dunkirk në bregun verior, për shkak të frikës se ato mund të përdoren nga emigrantët që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez.

“Blerja e këtyre kajakëve nuk do të jetë më e mundur” në dy dyqanet, “në reagim ndaj situatës aktuale”, tha kompania, duke konfirmuar një raport në gazetën rajonale La Voix du Nord, përcjell Telegrafi.

Një zëdhënës shpjegoi se artikujt janë “të devijuar nga përdorimi i tyre sportiv” dhe “mund të shërbejnë si varka të vogla për të kaluar kanalin anglez”, duke shtuar se produktet nuk janë të dizajnuara për një udhëtim të tillë.

Vendosja e kajakëve në një mënyrë të tillë “mund të rrezikojë jetën e njerëzve që i përdorin”, tha zëdhënësi, duke treguar se vendimi për tërheqjen e tyre nga shitja është marrë nga dyqanet dhe miratuar nga kompania.

Ndryshe, të premten e kaluar, tre emigrantë u raportuan të zhdukur pasi u përpoqën të kalonin Kanalin me kajakë për të arritur në Angli.

Një ditë më parë, 1185 emigrantë kaluan sipas shifrave britanike, një numër rekord brenda një dite.

Dhe dy kajakë u gjetën në brigjet e Calais të enjten dhe dy persona që ishin mbytur në anije u shpëtuan nga xhandarmëria. /Telegrafi/

Exit mobile version