Telegrafi

Një kombinim fantastik, Metallica dhe Lady Gaga perfomojnë bashkë në ‘Grammy’

Legjendarët e bendit “Metallica” kanë konfirmuar se do të performojnë se bashku me Lady Gagan në skenën e Grammy Awards.

Grupi amerikan është nominuar në kategorinë për këngën më të mirë rok, “Hardwired”, në ceremoninë që do të zhvillohet më 12 shkurt në Staples Center në Los Angeles.

“Ju kemi premtuar diçka unike për mbrëmjen Grammy dhe me kënaqësi absolute konfirmojmë se Lady Gaga do të na bashkëngjitet në skenë”.

Lexo po ashtu Akrobacionet e Lady Gagas në Super Bowl, hedhja nga çatia dhe muzika energjike (Video)

“Vetëm nominimi ishte një nder jashtëzakonisht i madh, e tash edhe kjo? Jemi shumë të entuziazmuar që jemi ftuar të performojmë në edicion e 59-të të Grammy Awards”.

“Kanë kaluar tre vite prej se e kemi pasur fatin të performojmë në spektaklin e ndarjes së çmimeve, kur performuam me pianistin kinez të njohur botërisht, Lang Lang, ndërsa jemi jashtëzakonisht të kënaqur që jemi ftuar sërish”.

“Kemi planifikuar diçka shumë unike dhe të veçantë për këtë mbrëmje feste, prandaj shikojeni në CBS-TV. Kontrollojeni transmetimin në kohën tuaj lokale dhe kontrolloni këtu (në faqen tonë) për më shumë informacion”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga “Metallica” e që e sjell Telegrafi.

James Hetfield dhe Lady Gaga

Lady Gaga njihet si një dashamirëse e muzikës rok dhe metal. Ajo e ka kënduar një version të “Black Dog” të “Led Zeppelin”, ndërsa është fotografuar me fanellën e “Iron Maiden” (duke treguar më vonë se ishte zgjuar në 5:00 të mëngjesit për ta blerë albumin e tyre të fundit, “The Book Of Souls”).

Lideri i “Anthrax”, Scott Ian, e ka përshkuar këngëtaren si një ‘kokë-metali të vërtetë’, derisa basisti i “Kiss”, Gene Simmons, ka thënë se ajo është kandidate për t’u bërë një yll i madh botëror i rokut.

Ndryshe, “Metallica” e ka mbajtur koncertin e planifikuar në Kopenhagë të Danimarkës, megjithëse frontmeni James Hetfield kishte pasur probleme me fytin gjatë fundjavës që shkoi. /Telegrafi/